Arsenali fiton me 3 gola anglezë për herë të parë që nga viti 1996!

I tillë ndryshimi, i tillë globalizimi i lojës më të bukur të botës. Arsenali kishte 26 vjet që nuk fitonte ndaj Çelsit me 3 gola të shënuar nga lojtarë anglezë, por e përsëriti këtë gjë më në fund, madje në një ndeshje tepër të rëndësishme si derbi i Londrës ndaj Çelsit në “Stemford Brixh”. Golat u shënuan nga Ed Nketiah, Emil Smith Roui dhe Bukajo Saka në fitoren 4-2. Për herë të fundit kishte ndodhur në shtator 1996 kur në “Hajbëri” shënuan Jan Rajt, Martin Kioun dhe Pol Merson në barazimin 3-3 ndaj Bluve të Londrës. Ky sukses është me shumë vlerë edhe sepse e rikthen ekipin e trajnerit Mikel Arteta në garën për t’u kualifikuar në Champions sezonin e ardhshëm. “Topçinjtë” kanë 57 pikë, po aq sa Totenhemi në të njëjtin numër ndeshjesh (32), dhe janë në vend të pestë. Man. Junajtidi është i gjashti me 54 pikë në 33 ndeshje, ndërsa Çelsi është i treti me 62 pikë në 31 ndeshje.

Sfidanti.al