Anglia në këmbë: Futbollisti i Kardifit ndihmoi Liverpulin?

Liverpuli në ndeshjen e fundit mundi 2-0 Kardifin në fushën e këtij të fundit, duke vazhduar kështu luftën për titull me Mançester Sitin. Ç’është e vërteta, “të kuqtë” arritën ta fitojnë ndeshjen edhe falë mbrojtësit të Kardifit, Shon Morison, që, kur rezultati ishte 1-0 në favor të Liverpulit, kishte një rast ideal që ta barazonte rezultatin, por ai nxori jashtë me kokë një top që ishte më e lehtë ta dërgoje në rrjetë sesa ta nxirrje jashtë! Sidoqoftë, më pas Liverpulit në fund të ndeshjes iu dha penallti që Xhejms Milneri e shndërroi në gol.
“Loja e dobët” e Morisonit ka zënë faqet e para të medias angleze që vë në dukje se ky futbollist i Kardifit kishte një “shkak” të fortë që të luante keq! Media sjell një deklaratë të fundit të Morisonit:
“Unë do të doja që Liverpuli të dalë kampion. Ky do të jetë një sukses fantastik për këtë klub dhe të gjithë qytetin. Ai është një klub i lavdishëm me histori. Do ta kenë të vështirë me Sitin, por ata do të luftojnë deri në fund”.
Sfidanti.al