Alegri kalon “provën e përgjithshme” para ferrit Atletiko Madrid

Masimiiliano Alegri mund të jetë i kënaqur, sepse Juventusi i tij e kaloi me sukses “provën e përgjithshme” para ndeshjes së 1/8-tës së finaleve të Ligës së Kampioneve (LK) me Atletikon në Madrid dhe që trajneri juventin nuk i kurseu lojtarët e tij, e tregon fakti se në formacionin e parë në ndeshjen e Serisë A kundër Frosinones (3-0) ishin edhe Ronaldo, Dibala dhe Manxhukiçi.
Kjo ndeshje ishte e rëndësishme për Dibalën që i ktheu vetes besimin me golin fenomenal që ai shënoi dhe mbas ndeshjes Alegri vuri në dukje se ishte shumë i kënaqur me lojën e futbollistit argjentinas që ndeshjet e fundit ka qëndruar në stolin e rezervave. Trajneri i Juves lidhur me ndeshjen e ardhshme të LK-së në Madrid deklaroi:
“Ndeshja me Atletikon do të jetë shumë më ndryshe, ne duhet të tregohemi më kompaktë dhe më luftarakë, para së gjithash ne duhet të gjejmë momentin e duhur që të shënojmë gol, sepse ky i fundit duhet të shënohet në Madrid. Nëse ne nuk arrijmë të shënojmë gol në këtë ndeshje, kualifikimi për në fazën tjetër do të jetë shumë i vështirë për neve. Unë parashikoj një ndeshje më shumë fizike në Madrid”.
Sfidanti.al