Qëkur u dënua që të mos luante dy vite për përdorim të substancave dopinguese të palejuara, për të cilat ai thotë se nuk dinte asgjë, futbollisti i Dinamos së Zagrebit dhe të përfaqësueses së Maqedonisë, Arian Ademi, tani që ka rifilluar të luajë, thotë se po tregohet shumë i kujdesishëm lidhur me ushqimet dhe pijet që pi.
“Mbaj mend se unë po qëndroja shtrirë në dhomën time, gjatë fazës përgatitore me përfaqësuesen, kur më thanë se kërkonin me urgjencë presidenti i federatës së futbollit dhe trajneri. As që më shkonte në mend se ata mund të më jepnin mua një lajm kaq të keq. Mendova se bëhej fjalë për ndonjë ofertë ose transferime ventual që kishte ardhur në Adresën time. Por që ata të më thonin mua se unë kisha dështuar në një test dopingu, kjo as në ëndërr nuk më kishte shkuar ndërmend. Sot e kësaj ditë, unë jam i traumatizuar nga ajo që më ka ndodhur. Tani, unë dyshoj te çdo njeri, te shokët, miqtë dhe njerëzit e afërt, madje, edhe te familja ime! Kaq i traumatizuar jam. Mendoj se dikush ka dashur të më bëj keq, duke më futur ndonjë substancë të palejuar në ushqim ose pije. Tani, kur shkoj në kafene dhe porosis ndonjë lëng frutash, dua që të ma hapin atë para syve!”, thotë Arian Ademi që, sikurse thuhet përgjithësisht, është bërë edhe më i mirë sesa ka qenë para pezullimit dyvjeçar nga UEFA. Madje, atij i dhanë përsëri shiritin e kapitenit të Dinamos së Zagrebit.
Sfidanti.al