Reali i Madridit nuk e nisi mirë vitin e ri 2019, ashtu sikurse do të donin tufozët e këtij ekipi kampion të Evropës, duke qenë se ekipi i drejtuar nga Santiago Solari bëri një hap tjetër të gabuar në kampionatin spanjoll, kësaj here në stadiumin e Vilarealit që deri tani me lojën e tij ka lënë shumë për të dëshiruar.
Ekipi mik nga Madridi udhëhiqte 1-2, por, megjithatë, në fund të ndeshjes mbrojtja e tij i lejoi vendasit që ata të barazonin, madje në një situatë plotësisht të pakuptueshme, pasi sulmuesi i Vilarealit, Santi Kasorla, mbeti vetëm për vetëm përballë portierit realas, Tibo Kurtoa, që ishte lënë nga mbrojtja e tij “në mëshirë të fatit” dhe goli që ai pësoi, dëshmon edhe një herë tjetër se mbrojtja e Realit të Madridit në këtë sezon është një katastrofë e vërtetë.
Është e habitshme sesi madje tre lojtarë, Ramosi, Marselo dhe Isko, qëndronin vetëm si spektatorë në zonën e tyre të rreptësisë dhe e lejuan Kasorlën që të shënonte golin e tij të dytë në min. e 82-të, duke e barazuar rezultatin në 2-2.
Sfidanti.al