Barcelona, Ansu Fati; shumë i ri për cmimin ‘Njeriu i Ndeshjes’

Në fitoren 4-0 të Barcelonës ndaj Villarrealit u shfaq qartë talenti i Ansu Fatit dhe jo vetëm për dy golat e shënuar, por edhe për detaje të tjera teknike që u panë në hapësira të ngushta duke bërë që 17 vjecari të ishte dukshëm Lojtari më i Mirë i ndeshjes, një cmim që gjithsesi La Liga nuk mund t’ia akordonte. Arsyeja? Sponsori që bën zgjedhjen e Njeriut të Ndeshjes, një  kompani e njohur e prodhimit të birrës, që nuk mund të lidhë markën e saj me imazhin e një minoreni dhe Ansu Fati do të festojë 18 vjetorin e tij të lindjes në 31 tetor.

Kështu që cmimin si Njeriu i Ndeshjes në vend të Ansu Fati e mori Jordi Alba. Është ky një moment kurioz që gjithsesi nuk e venit aspak paraqitjen e talentit të Barcelonës që është gjithnjë e më shumë në qendër të  projektit të trajnerit Ronald Koeman.

Ndeshjen e parë si maxhoren, Ansu Fati do ta luajë në 1 nëntor kundër Alaves. Do të jetë sfida e parë ndër shumë të tjera që do të vijnë më pas për Ansunë që të tentojë të fitojë zyrtarisht cmimin si Njeriu i Ndeshjes për Barcelonën. Kundërshtarët e skuadrës blaugrana janë paralajmëruar…

Sfidanti.al