Debutimi i ëndrrave për Suarezin, dy gola dhe asist për Atletikon!

U deshën vetëm 20 minuta dhe Diego Pablo Simeone sikur e kishte parandjerë. Luis Suarezi papritur iu desh të tregonte se cili ishte dhe trajneri i Atletikos së Madridit, e dinte se ai do të luftonte fort. Pati të drejtë, dhe pasi e grumbulloi në skuadër për ndeshjen ndaj Granadës, e hodhi në fushë në minutën e 71-të. “Uragani” uruguajan sikur mezi kishte pritur dhe shpërtheu me vrull, e kur kishte përfunduar ndeshja, ai ishte me dy gola e me një asist. Përveç kësaj, VAR-i bëri që të mos i jepej edhe një penallti. Debutim vërtet prej ëndrrash, debutimi që Suarezi meritonte pas largimit aspak të respektshëm që i bënë nga Barcelona.

Atletiko fitoi 6-1 në La Liga dhe golat u shënuan nga Diego Kosta, Angel Korrea, Zhoao Feliks, Markos Jorente si dhe dy herë nga Suarezi, që shërbeu topin për golin e Jorentes. “Ndonjëherë duhet të ndryshosh ajër që të ndihesh sërish mirë, – u shpreh ai pas ndeshjes, – kur debuton, gjithnjë dëshiron të japësh maksimumin për të ndihmuar ekipin. Tashmë, mund të ndihem më i lehtësuar dhe i lumtur sepse kam gjetur veten, ndërsa sezoni do të jetë i gjatë. Nëse do të jemi bashkë, mund të arrijmë gjëra të mëdha”.

Sfidanti.al