Reali fiton, Madridi e ngre në qiell, por mediat katalanase thonë: Vjedhje!

Mediat e kryeqytetit nuk patën dyshime se skuadra e Zinedin Zidanit doli fituese me meritë nga stadiumi ku vjet pësoi humbjen e fundit në La Liga, duke lëshuar momentalisht vendin e parë në La Liga. Këtë herë, Betis-Real nuk përfundoi 2-1, por 2-3 dhe kampionët në fuqi treguan se dinë të shënojnë më shumë se një gol. Gjithsesi, ndërsa “Marka” apo “AS” vlerësuan ekipin e tyre, nga Katalonja muzika ishte tjetër. “Sport” theksoi se VAR-i vazhdon të ndihmojë Realin, se që të tre vendimet e teknologjisë ishin në favor të Madridit, dhe se penalltia që përcaktoi ndeshjen nuk duhej dhënë.

“Sport” shkruan se Borha Majoral shtyu Bartrën që u rrëzua dhe preku topin me dorë, e më pas kapiteni Ramosi shënoi nga 11 metra larg. E përditshmja barceloniste thotë se javën e kaluar Reali barazoi 0-0, ndërsa nuk pati asnjë ndërhyrje nga ana e VAR-it. “Reali dhe VAR-i mundin Betisin”, – titullon edhe “El Mundo Deportivo”, që shton se “teknologjia ia lehtëson punën Zidanit”. “Sporti” ishte më i ashpër duke shkruar se “me një ndihmë të tillë nga VAR-i është e pamundur që të konkurrosh”. Valverde kaloi Realin në epërsi në 14’, pastaj Alsa Mendi 35’ e Uilliam Karvaljo 37’ përmbysën për vendasit, Emerson shkaktoi autogol në 48’, dhe Sergio Ramos fiksoi shifrat me penallti më 82’.

Sfidanti.al