Epitetin e ka të skalitur sikur të ishte një shkëmb, dhe askush nuk mund t’ia ndryshojë. Interi mbetet një ekip që nuk i ndahet çmendurisë edhe pse vitet kalojnë, dhe “fytyrat” ndryshojnë. Le të jetë për mbarë kjo fitore 4-3 ndaj Fiorentinës, që bëri me zemër edhe disa tifozë të tjerë, ndërsa ia rëndoi zemrën atyre që e kishin provuar më parë. Fillimi i Serisë A ishte sukses, por me çfarë kostoje. U deshën dy gola në dy minuta (87’ e 89’) nga Romelu Lukaku e Danilo D’Ambrozio që të përmbyseshin shifrat 2-3.
Fiorentina e nisi shumë më mirë me një Riberi të shkëlqyer dhe kaloi në epërsi që në 3’ me golin e shënuar nga Kristian Kuame. Barazoi Lautaro Martinezi në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë, ndërsa me të nisur pjesa e dytë, Çekerini shkaktoi autogol në portë ne Fiorentinës. Kastrovili e Kieza përmbysën shifrat në 57’ e 63’ dhe u desh “vrulli” final për të marrë tri pikët. Nuk dihet nëse fitorja mund të quhet hapi në drejtimin e duhur, apo përsëritje e pasigurive të vjetra. Vetëm koha do ta tregojë, ndërsa presioni mbi Interin është tepër i madh.
Sfidanti.al