Ishte parashikuar të ishte një betejë, dhe ashtu ndodhi, por Arsenali arriti ta fitonte atë. Pas më shumë se 95 minutave të nxehta në stadiumin “Dipdejl” të Preston North Endit, londinezët u larguan nga fushëbeteja me kualifikimin në xhep në Kupën e Anglisë, dhe me një tjetër provë të karakterit, që nuk ishim mësuar ta kishin skuadrat e drejtuara nga Arsen Venger. Sukses 2-1, arritur në minutën e parafundit, sërish nga i njëjti lojtar, Olivie Zhiru, ai që siguroi barazimin heroik 3-3 në fushën e Bornemuthit në Premier Ligë, kur rezultati më parë ishte 0-3.
Preston luajti më mirë në pjesën e parë dhe kryesoi pas saj 1-0, me golin e shënuar që në minutën e 7-të nga Kallëm Robertson, veçse pjesa e dytë ishte diçka krejt tjetër. Vendasit nuk arritën ta godisnin kurrë portën mike të mbrojtur nga Ospina, me presionin shumë të madh të Arsenalit. Barazimi erdhi që në minutën e parë pas pushimit, kur Aron Ramsej dërgoi topin në rrjetë, ndërsa në 72’, Shkodran Mustafi u ndal vetëm nga pritja e madhe e portierit vendas Maksuell. Sërish Maksuell ndaloi Uelbekun në 95’, por më herët, në 89’ Olivie Zhiru kishte kaluar Arsenalin në avanntazh. Venger mbetet një specialist i Kupës së Anglisë, me 6 suksese në karrierë, dhe kërkon të shtatin.