Loja e madhe e Lionel Mesit duket se po i jep përfundimet që argjentinasi priste. Kryengritja e kapitenit po bën që pozitat e presidentit të Barcelonës, Bartomeu, të jenë drejt shembjes përfundimtare, pasi mësohet se 16 500 pjesëtarë të klubit kanë mbështetur mocionin e mosbesimit ndaj tij. Mediat spanjolle dhe ato europiane shkruajnë se ka ardhur ora që Bartomeu të japë “llogari” për ato që ka bërë, ndërsa pjesëtarët e klubit dhe tifozët janë shumë të zemëruar me mënyrën sesi ai veproi me rastin e Mesit.
Shifra prej 16 500 njerëzish ishte “kuorumi”, pra kuota e duhur për t’u mbajtur mocioni i mosbesimit në Asamblenë e klubit. Tre kandidatët për president, Zhordi Farre, Viktor Font dhe Luis Fernandez Ala i janë bashkuar kësaj nisme, ashtu si edhe ish-presidenti Laporta. Pozicionin e Bartomeut nuk e ndihmon aspak fakti se Barcelona e përfundoi sezonin pa trofe, se u larguan dy trajnerë, se u mund 2-8 nga Bajerni, dhe se klubi ka kaluar gjatë kësaj kohe një krizë të thellë institucionale.
Sfidanti.al