Misteri i të ardhmes së Dejvi Bregut, “zotërisë së dy kontinenteve”!

Padyshim që është një nga më të talentuarit e kampionatit. Dejvi Bregu ka dhënë një kontribut të madh për Skënderbeun, e përpara tij edhe për Luftëtarin, ndërsa tani është i dyzuar për të ardhmen. Së fundmi, mësohet se Teuta e Durrësit është e interesuar për shërbimet e sulmuesit vlonjat, të cilit nuk është se i mungojnë ofertat. Pas largimit nga Korça, ai po bisedon nëpërmjet agjentit të tij me klube nga Polonia, Turqia, Kazakistani apo Kroacia, ndërsa pëlqehet edhe në Kosovë.

Prishtina e Gjilani bënë përpjekjet e tyre, por duket se Bregu dëshiron një kampionat më të fortë. Në Superligë, fillimisht u fol se për të interesohej Tirana, e cila dëshiron të ketë një skuadër sa më të fortë për të mbrojtur titullin kampion dhe për të synuar sukses të vazhdueshëm në Europë. Mundësia më e madhe është që 25-vjeçari ta vazhdojë karrierën jashtë vendit, jo vetëm sepse niveli do të jetë më i lartë, por edhe sepse do të kishte më shumë mundësi të arrinte kombëtaren.

Sfidanti.al