Mesi flet për arsyet e largimit, por duket se do të largohet Bartomeu!

Ai dha shumë argumente në intervistën për “goal”-in, dhe mjaft prej tyre ishin me peshë. Lionel Mesi tha se e kishte menduar mirë largimin nga Barcelona, sidomos pas dështimeve në Champions, në Romë, Liverpul dhe Lisbonë ndaj Bajernit. Ëndrra e tij për këtë trofe, në këto kushte, dukej shumë larg për t’u realizuar. “Unë dua të luaj në nivelet më të larta dhe të konkurroj për të fituar trofe, të konkurroj për Championsin, – tha ai, – mund të mos e fitosh sepse është shumë e vështirë, por duhet të konkurrosh, ndërsa pas dështimeve në Romë, Liverpul e Lisbonë, e kuptova se nuk mund ta bëjmë dot. Mënyra sesi është drejtuar ky klub është një katastrofë”.

Mesi tregoi se familja e tij kishte qenë kundër ikjes nga Barcelona, edhe gruaja, edhe fëmijët. Ata nuk duan të ndërrojnë qytet, fëmijët nuk duan të ndërrojnë shkollë, ata e kanë ndërtuar jetën aty, por argjentinasi u shpreh se duhej marrë një vendim. Gjithsesi, duket se ky ka qenë plani i kapitenit, për të shkaktuar një tërmet nga i cili presidenti Bartomeu të mos e merrte dot veten. Ai ka deklaruar se do të qendrojë edhe këtë vit, sepse nuk donte gjyqe me Barcelonën, por në pranverë do të ketë zgjedhje dhe me një president tjetër, Mesi mund të kandiset të rinovojë.

Sfidanti.al