Tifozët e Çelsit: Kemi KIA Haverc, Honda Zijeç, Shevrolet Pulishiç, Tesla Verner!

U krye edhe transferimi i fundit, më i madhi në “Stemford Brixh”. Pas akordit për 100 milionë euro, Çelsi siguroi Kai Havercin e Leverkusenit dhe të kombëtares gjermane, që i shtohet përforcimeve të mëparshme, pas të cilave besohet se Blutë e Londrës do të arrijnë të sfidojnë Liverpulin e Mançester Sitin për trofetë kryesorë. Roman Abramoviç ka shpenzuar 230 milionë paundë stërlina dhe trajneri Frenk Lampard ka punë për të bërë që këto investime të kthehen në suksese. Me paratë e paguara për Havercin, Çelsi barazoi rekordin e Mançester Junajtidit që mori Pol Pogbanë, ndërsa rekordi “në dalje” është ai i Filip Kutinjos që shkoi tek Barcelona, që nga Liverpuli për 145 milionë paundë stërlina. Tifozët e Çelsit menjëherë u hodhën në sulm në rrjetet sociale, ku spikati një koment: “Ne kemi KIA Havercin, Honda Zijeçin, Shevrolet Pulishiçin dhe Tesla Vernerin”!

Sfidanti.al