Bjellorusia na pret me protesta, tanke dhe me … Putinin!

Duket sikur këto kohë kanë qenë tepër larg. Në të vërtetë ishte 26 shkurti i këtij viti kur kombëtarja e Bjellorusisë luajti ndeshjen e fundit të futbollit, atë në Sofie ndaj Bullgarisë. Pas asaj fitoreje në miqësore erdhi epidemia e koronavirusit dhe futbolli u ndërpre. Edhe pse Bjellorusia u bë lajmi më i madh i Europës, duke vazhduar kampionatin, sërish sot futbolli ka dalë në plan të dytë, e po ashtu edhe ndeshja ndaj Shqipërisë për Ligën e Kombeve.

Republika ish-sovjetike është përfshirë nga protesta të fuqishme pas zgjedhjeve presidenciale, të fituara zyrtarisht nga presidenti në fuqi, Lukashenko, por të kundërshtuara nga opozita. Një atmosferë kaq e tensionuar saqë ndonjëherë u mendua nëse ndeshja mund të luhej në kryeqytetin Minsk. UEFA ishte pro luajtjes, dhe ana pozitive është që protestat nuk mund të ndikojnë në stadium, sepse sfida do të jetë pa tifozë.

Kaq i madh ka qenë kaosi, herë pas here, saqë milicia ka arrestuar edhe pjesëtarë të skuadrave të futbollit, siç ndodhi me lojtarët e ekipit Krumkaçi të Minskut, të cilët edhe u goditën dhe u dëmtuan fizikisht. Lojtarët thanë më pas se policia i kërkoi të falur, duke u thënë se ishte bërë një gabim, e pëfundimisht i lanë të lirë. Për futbollin shumë pak njerëz në Minsk e kanë mendjen, edhe pse Federata vendase e Futbollit prezantoi pikërisht tani fanelat e reja të kombëtares. Gjithsesi, nuk është koha për t’u kënaqur me sportin më popullor të botës, dhe as për të blerë fanela e suvenire të ekipit përfaqësues.

Në Bjellorusi po luhet një lojë gjeopolitike mes Rusisë dhe Perëndimit, ku nga një anë ka sanksione, ndërsa nga ana tjetër ka bisedime e marrëveshje me Moskën, të cilat forcojnë pozitat e presidentit rus Putin mbi ish-republikën sovjetike. Jo më kot, kanale televizive pranë pushtetit transmetojnë lajme për manovra ushtarake, të cilat thuhet se janë të planifikuara, por që është e lehtë të kuptohet se zhvillohen për të bërë përshtypje e për të krijuar frikë.

Gjithsesi, në mbrëmjen e së premtes publiku bjellorus do të ulet përpara televizorit për të ndjekin ekipin kombëtar me shpresën që t’i japë një kënaqësi në këto kohë të vështira.

Sfidanti.al