Në Itali flasin për skemat, por Pirlo synon t’i kthejë shpirtin Juves!

Në të vërtetë, është e vështirë të kuptosh sesi një njeri me futboll aq krijues sa Mauricio Sarri mund t’ia ketë shuar “flakën” “Zonjës së Vjetër”. Gjithsesi, në Itali këtë thonë dhe të sigurojnë se trajneri i ri i Juventusit, Andrea Pirlo, do të synojë pikërisht t’i kthejë “shpirtin” ekipit, pra pasionin për të luajtur me zemër, po aq sa edhe me mendje. Mesa kuptohet, ai do t’u japë më shumë liri lojtarëve në skemat e veta, ndryshe nga Sarri që ishte një “matematicien” futbolli.

Skema e Pirlos mendohet se do të jetë një kthim në kohën e Antonio Kontes, 3-5-2, për të pasur një mesfushë më të re në moshë, dhe më të fuqishme. Tre mbrojtësit për momentin janë Demiral, Bonuçi e Kielini, por kthimi i De Ligtit nga dëmtimi në tetor, mund ta ulë në stol ish-kapitenin. Kjo skemë bën që mbrojtja të jetë më e fortë në goditje standarde, dhe që të mund të ketë 5 lojtarë në momente të vështira. Në mesfushë, në qendër, pritet të jenë Rabio, Artur dhe Betankur, ndërsa me Edin Xhekon, që mund të vijë nga Roma, do të plotësohet skema. Sulmuesi boshnjak do të luajë pas Ronaldos e Dibalës, duke i dhënë më shumë mbështetje portugezit.

Sfidanti.al