Rinovini i De Bruyne me Manchester City ‘paralizohet’ nga arrestimi i agjentit të tij

Kevin De Bruyne është qendra e Manchester City dhe klubi anglez e di shumë mirë këtë. Sipas tabloidit ‘Daily Mail’, Citizens dëshiron të shpërblejë mesfushorin belg për sezonin e shkëlqyer që zhvilloi me rinovim të kontratës dhe me rritje të pagës së tij. Por kjo cështje duhet të presë deri në momentin që të zgjidhet cështja e agjentit të De Bruyne, Patrick De Koster.

Ky i fundit u arrestua ditën e enjte nga policia belge pas një denoncimi të bërë nga vetë futbollisti. Shkaku i arrestit të De Koster u bënë përfitimet ekonomike nga kontrata e De Bruyne si futbollist i Wolfsburgut në  vitet 2013-2014. Media belge bëri të ditur se hetimet nisën në 2019 dhe u kryesuan nga gjykatësi Michel Claise

Sipas medias belge, De Koster dyshohet për pastrim të kapitalit dhe falsifikim dokumentash dhe se pagesat në lidhje me kontratën e De Bruyne janë bërë nëpërmjet Lichtensteinit, një vend që njihet si parajsë fiskale dhe jo sipas rregullave. Në këtë pikë, Manchester City ‘paralizoi’ cdo lëvizje për rinovimin e De Bruyne i cili me kontratën e re është parashikuar të përfitojë 18 milionë Euro në sezon.

Sfidanti.al