Udhëtoi drejt Barcelonës, Guardiola do të duhet të hyjë në karantinë

Pep Guardiola do ta nisë ters fazën përgatitore të sezonit atipik sic është ai 2020/21. Trajneri i Manchester City gjendet në Barcelonë për të vizituar të afërmit e tij dhe që bëri të ndizen sirenat e alarmit edhe te klubi I Barcelonës që është në krizë të plotë për shkak të situatës së krijuar nga Lionel Messi. Manchester City është një prej klubeve që është në garë për sigurimin e kartonit të argjentinasit, madje është në pole position në këtë pikë dhe ky udhëtim i 49 vjecarit nuk duket se është një rastësi.

Por ky udhëtim mund t’i kushtojë disi Guardiolës. Autoritetet brtitanike detyrojnë të gjithë ata që udhëtojnë nga Spanja në Angli të hyjnë në karantinë për 14 ditë. Sipas Sky Sports, Guardiola nuk do t’I shpëtojë këtij rregulli që do të thotë se ai do të humbasë një pjesë të mirë të fazës përgatitore të skuadrës së tij

Sezoni i ri për Manchester City do të nisë në 21 shtator kur do të luajë në fushën e Wolverhampton në javën e parë të Premier League. Nëse Guardiola do të nisë të hënën e ardhshme karantinën, do të bashkohet me skuadrën në javën e parë të kampionatit. Por duket se shenjat janë që ai mund ta nisë atë më vonë që do të thotë se do të humbasë më shumë ditë nga përgatitjet e skuadrës së tij për startin e Premier League 2020/21.

Sfidanti.al