Ka një ngadalësi heroike në veprimet e trajnerit të të kuqve në tregun e futbollit. Me gjasë, financat e Liverpulit qenkan kaq të goditura nga kriza e koronavirusit saqë Jurgen Klopi nuk po arrin të ketë siguri as për të realizuar transferime normale. Nuk flitet për shpenzime 100 milionë euroshe, sa mund t’i duhen Çelsit për Kai Havercin, por “vetëm” 30-33 milionë për kartonin e Tiago Alkantarës, ndërsa në Mynih po presin të habitur.
Shefi ekzekutiv i Bajernit, Rumenige, theksoi sërish se Tiago Alkantara dëshiron të provojë një aventurë të re, pasi pati sukses në Spanjë me Barcelonën dhe në Gjermani me Bajernin. Tani që fitoi edhe Championsin me bavarezët ndihet më i plotësuar dhe destinacioni i tij “i verës” është pikërisht Liverpuli. Pritet që këto ditë Klopi të bëjë lëvizjen e tij, dhe mendohet se do t’ia dalë, edhe pse habia është e madhe se përse “ia ka futur gjumit” deri tani.
Sfidanti.al