Mos e keni harruar Niko Kovaçin? Në Francë fitoi edhe me 10 lojtarë!

Nuk duhet ta nënvleftësojmë aspak trajnerin kroat, sepse karriera e tij nuk ishte vetëm tek Bajerni. Niko Kovaç u kthye tek sukseset, të paktën në ndeshjen e parë, ndërsa drejton Monakon në Ligën e Parë të Francës. Tekniku 48-vjeçar siguroi një fitore të vështirë në start të kampionatit, 1-0 në fushën e Metzit, me gol të shënuar nga Benua Badiashili që në minutën e 22-të. Monako përballoi presionin edhe pse mbeti me 10 lojtarë që nga 46’, kur Jusuf Fofana doli me të kuqe. Kovaçi shpreson të ngrejë në këmbë karrierën e tij, e cila ishte shumë e mirë tek Ajntrahti i Frankfurtit, kur fitoi Kupën e Gjermanisë në finalen ndaj Bajernit dhe u kualifikua për në Ligën e Europës.

Sfidanti.al