Sulmuesi u krahasua me legjendën Tieri Henri dhe pati arsye, ndërsa “topçinjtë” duket se po bëjnë një kthesë të madhe. Arsenali fitoi Superkupën e Anglisë ndaj “të plotfuqishmit” Liverpul dhe dy emra shkëlqyen mbi të gjithë, Pjer-Emerik Obamejang dhe Mikel Arteta. Sulmuesi, që ende duhet të rinovojë kontratën në “Emirejts” shënoi një gol si Henri dhe luajti një finale të shkëlqyer. Trajneri Arteta po vlerësohet gjithnjë e më shumë pasi në vetëm 2 muaj arriti të marrë 2 trofe për klubin, së pari Kupën e Anglisë dhe tani Superkupën.
“Duhet të kemi besim se do t’ia dalim edhe ndaj më të fortëve, ndryshe nuk mund të fitojmë kurrë, – thotë tekniku spanjoll, – kjo ndeshje tregoi se askush nuk është i pathyeshëm, por gjithsesi nuk do të thotë se kemi arritur gjithçka. Ishte vetëm një ndeshje, një finale, dhe duhet të vazhdojmë të rritemi”. Mediat theksuan se një shtyllë në mbrojtjen londineze ishte David Luiz, braziliani që u kritikua egërsisht në Premier Ligë sezonin e kaluar, por që nisi të bënte kthesë që në finalen e Kupës fituar ndaj Çelsit. Gjithsesi, sfida më e madhe për Arsenalin do të jetë që të kthehet në 4-en e më të mirëve të Premier Ligës, pra të kualifikohet për në Ligën e Kampionëve në 2021-2022.
Sfidanti.al