Guardiola sulmon në “kalanë” e Barçës, por duhet të nxitojë për Mesin

Nuk duroi dot dhe shkoi në vendin e ngjarjes. Pep Guardiola mësohet se është në Barcelonë, dhe i vetmi motiv për të t’u larguar nga Anglia ishte Lionel Mesi. Trajneri i Mançester Sitit do të përpiqet që të bisedojë direkt me drejtuesit e klubit katalanas, si edhe me argjentinasin për të bërë të mundur transferimin e madh për në Angli. Siti jepet favorit për të marrë atë që ende konsiderohet si lojtari më i madh i botës, ndonëse nuk do të jetë aspak e lehtë.

Mediat spanjolle shkruajnë se Mesi është gati të bisedojë me presidentin Bartomeu dhe krerët e tjerë, në mënyrë që të largohet në mënyrë miqësore nga skuadra dhe qyteti që ai dashuron, veçse lajmet janë që klubi ka marrë qendrim të ashpër. Bisedimet, sipas njerëzve të “Kamp Nout” mund të bëhen vetëm për rinovimin e kontratës së kapitenit që përfundon verën e ardhshme, ndryshe nuk ka asnjë arsye për t’u takuar.

Nëse Mesi mendon se mund të largohet fala, ose edhe me një akord mbi bazën e rreth 200 milionë eurove, Barcelona gjykon se askush nuk mund t’ia marrë yllin kryesor pa paguar klauzolën në kontratë, 700 milionë euro. Guardiola ka rrezikuar shumë sepse sipas mediave angleze, ai do të duhet të izolohet në karantinë për 2 javë në kthimin nga Spanja, sipas rregullave të qeverisë britanike, pra të humbasë fillimin e sezonit.

Gjithsesi, trajneri mendon se ia vlen një rrezik i tillë për të marrë një lojtar si Mesi. Ai duhet të nxitojë pasi edhe klube të tjerë do të këmbëngulin për argjentinasin, sepse mësohet se Interi, Paris SG e Mançester Junajtid janë në lojë, madje edhe Juventusi për të realizuar dyshen e ëndrrave, Mesi-Ronaldo.

Sfidanti.al