Mesi larg Barcelonës? Zgjedhje mes mendjes dhe zemrës!

Nuk do të jetë e lehtë për një lojtar të tillë që të largohet pas 20 vjetësh. Në Spanjë, mediat madrilene theksojnë pikërisht këtë, edhe pse Lionel Mesi i tha Ronald Kumanit se e sheh veten më shumë jashtë sesa brenda Barcelonës. Pasi mbërriti si fëmijë i vogël dhe u bë ylli më i madh i futbollit, argjentinasi ka një lidhje jashtëzakonisht të fortë, lidhje zemre, me kryeqendrën e Katalonjës. Në 20 vjet, ai ka krijuar aty një jetë, dhe Barcelona është vërtet shtëpia e tij, me të gjitha lidhjet e miqësitë, e sidomos kjo vlen për fëmijët që kanë lindur e janë rritur aty. Edhe gruaja e tij, Antonela, ka krijuar jetën e saj dhe po ashtu bizneset në qytetin e madh. Nuk është pra e lehtë që të largohet, edhe pse nuk beson aspak në projektin katalanas, siç shkruan e përditshmja “Marka”, që bën një analizë të momentit të vështirë të kapitenit “blaugrana”. Me mendje, duhet të largohet, por me zemër do të jetë e vështirë, ndonëse Mesi e ka bërë të qartë se nuk dëshiron të jetë “nën një çati” me presidentin Bartomeu.

Sfidanti.al