Van de Bek, Sarr, Nejmar, Lautaro, çfarë vjen për Kumanin tek Barça!

Kur je keq, detyrohesh të hysh edhe në borxh që të dalësh nga “balta”. Në “Kamp Nou” po mendojnë pikërisht kështu, ndonëse qendrimi i presidentit Bartomeu të paktën deri në mars prish jo pak punë. Gjithsesi, në klub po mendojnë për përforcimet dhe njëri prej tyre lidhet direkt me trajnerin e ri, Ronald Kuman. Ky është lojtari i Ajaksit dhe i Holandës, Donald “Doni” Van de Bek, i cili ishte i lidhur më parë me Realin. Barcelona po mendon edhe për mbrojtësin Malang Sarr, ish-lojtar i Nisës, që mund të vijë me parametër zero, për të forcuar një repart që u tregua katastrofik ndaj Bajernit në Champions. Sarrin e do edhe Arsenali. Ndërkaq, Barça ka menduar gjithnjë për Lautaro Martinezin dhe Nejmarin. Për këtë të fundit, mund të jepen 60 milionë euro plus kartoni i Antuan Grizmanit, gjithnjë nëse Paris SG është dakord. Jo të gjitha këto përforcime do të vijnë në “Kamp Nou”, por Kumani e di se skuadra katalanase ka nevojë për “gjak të ri” që të kthehet tek suksesi.

Sfidanti.al