Romelu, Interi dhe Konte presin që t’i japësh Ligën e Europës!

Edhe pse nuk e arriti numrin 34 të golave të Ronaldo “Fenomenit”, sërish mund ta quash pa frikë një fenomen. Romelu Lukaku është duke zhvilluar një nga ata sezonë të veçantë që hyjnë në histori, sidomos kur janë të parët në një ekip të caktuar. Me 31 gola të shënuar në Serinë A këtë edicion, dhe me 9 rrjeta radhazi në Ligën e Europës (6 për Interin), sulmuesi belg është një nga më të mirët në botë këta 12 muaj.

Thuajse e pabesueshme sesi një njeri i padëshiruar tek Mançester Junajtidi, u bë i pazëvendësueshëm në “San Siro”, sesi nga “bullafiq” u bë “gjeth”, dhe nga i mbaruar në skemat me 1 sulmues në “Old Traford”, ka rilindur në skemën e Kontes 3-5-2 në krah të Lautaro Martinezit. Padyshim që ka të bëjë skema, por sidomos besimi i trajnerit. Pavarësisht kontributit të numrit 9, Interi dështoi të fitonte titullin apo Kupën e Italisë, veçse ka mbetur edhe një trofe, Liga e Europës. Interi, tifozët dhe Konte presin që Lukaku ta udhëheqë ekipin drejt trofeut, ndonëse do të jetë shumë e vështirë të kalohet një skuadër eksperte si Shahtari i Donjeckut në gjysmëfinale.

Sfidanti.al