Në 14 maj 1988, Formula 1 pati një nga momentet e saj më të veçanta, në provat zyrtare të Çmimit të Madh të Montekarlos. Airton Sena realizoi atë që cilësohet si xhiroja më e famshme në historinë e këtij sporti, me kohën 1’23”998, duke lënë shokun e tij të skuadrës Alen Prost (me Meklaren) gati 1.5 sekonda prapa. “Në xhiron që fitova provat isha duke drejtuar makinën në një gjendje jo të ndërgjegjshme, – tha më pas braziliani, – m’u duk sikur isha në ëndërr, dhe po drejtoja me instinkt, aq sa u tremba. Kurrë më pas nuk e provova një gjendje të tillë”.
Kanë kaluar 32 vjet, dhe u desh Çmimi i Madh i Spanjës në Barcelonë që të përsëritej “dalldia” e Senës. Ljuis Hamilton deklaroi se kishte garuar gati në ekstazë, dhe se kjo mund të quhet gara e tij më e mirë. “Unë sikur isha në qiell gjatë garës, – tha anglezi, kampion i botës, – unë isha në një zonë të ndryshme nga ajo ku jemi zakonisht. Ekziston kaq shumë presion që ne t’i afrohemi përsosmërisë, dhe unë mund të them se më shumë se kaq nuk mund t’i afrohem përsosmërisë. Ishte qartësia më e madhe që kam pasur ndonjëherë”. Hamilton, ndryshe nga Sena, e fitoi garën e tij, duke u shkëputur në 37 pikë nga vendi i dytë në renditje, duke thyer rekordin botëror të podiumeve (156) dhe duke qenë vetëm 3 fitore larg rekordit botëror të Shumaherit me 91.
Sfidanti.al