Suksesi nisi dhe nuk diti të përfundojë. Olimpiku i Lionit u bë e dyta skuadër franceze në gjysmëfinalet e kësaj Lige të Kampionëve, duke vendosur një rekord. Kurrë nuk kishte ndodhur më parë diçka e tillë, ndërsa bashkë me lionezët, që mundën Sitin, është edhe Paris SG, që kaloi Atalantën. E mbiquajtura “Liga e Fshatarëve”, siç tallen me të, mori hak siç duhet, sidomos me eleminimin e një gjigandi si Mançester Siti.
Një klub shumë më modest, me 310 milionë euro buxhet, sa gjysma e anglezëve, ia doli në fushën e lojës. Për më tepër, një ekip që ishte vetëm në vendin e 7-të në Ligën e Parë të Francës, që u ndërpre që në mars e u anulua përfundimisht. Gjithsesi, ndryshimi u duk kur para pak javësh, skuadra e trajnerit Rudi Garsia luajti finalen e Kupës së Ligës ndaj gjigandes Paris SG. E përballoi shumë mirë kampionen e Francës, mbylli kohën e rregullt e shtesat në 0-0, dhe humbi pafatësisht vetëm pas penalltive, 5-6.
Juventusi, rivali i çerekfinaleve, e kuptoi dhe trajneri Sarri (tashmë një “ish”) paralajmëroi se lionezët ishin bërë beton në mbrojtje. Francezët e eleminuan “Zonjën e Vjetër”, edhe pse u mundën 1-2 në Torino, dhe pastaj nuk falën as Mançester Sitin. Bajerni duhet ta ketë të qartë se çfarë rivali do të ketë përballë. Lioni është një skuadër historike në Francë, por sidomos dominoi në nisje të shekullit të 21-të, me 7 tituj kampion radhazi.
Në Kupat e Europës, ia ka dalë të eleminojë Realin e Madridit të Kristiano Ronaldos, Sergio Ramosit, Kasijasit e Raulit në 2010, përpara sesa të eleminohej në gjysmëfinale të Championsit nga Bajerni. Në 2017, Lioni arriti një tjetër gjysmëfinale, këtë herë në Ligën e Europës, por u mund bindshëm nga Ajaksi, ndërsa në katër më të mirët ishte edhe në 1964, mundur nga Sportingu i Lisbonës në Kupën e Kupave.
Franca, gjithsesi, ka më shumë shpresë në gjysmëfinale tek Paris SG. Kryeqytetasit mundën Atalantën, edhe pse kaluan shumë halle, dhe tani do të ndeshen me Lajpcigun gjerman. Një klub jo edhe aq historik, sa Sent Etieni, Marseja apo Lioni, por vitet e fundit dominues absolut i futbollit francez me 7 tituj në 8 vitet e fundit, dhe që ka fituar 5 Kupa nga 6 të fundit, 6 Kupa të ligës nga 7 të fundit dhe 7 Superkupa radhazi.
Me buxhet prej gati 640 milionë eurosh, PSG synon të pushtojë edhe Europën. Nuk e ka pasur kurrë të lehtë, madje lavdinë e arriti në 1996 kur nuk ishte kaq i pasur, duke fituar Kupën e Kupave në finalen ndaj Rapidit të Vjenës. Në Champions, eleminimet erdhën radhazi, pa kaluar dot çerekfinalet, ndërsa në 3 sezonet e fundit pa arritur as deri aty. Gjithsesi, ky mund të jetë edicioni i duhur për parizienët, ose ndoshta për francezët, pasi shpresa është e dyfishtë PSG-Lion.
Sfidanti.al