Ja pra që duhet ta besojmë, një 105-vjeçar bën mrekulli me biçikletë!

E quan veten një njeri normal, për në të vërtetë nuk është edhe aq i tillë. Le të mos tregohet kaq modest Rober Marshand, një francez 105-vjeçar që arriti të përshkonte 22.547 kilometra me biçikletë brenda një ore. Në një moshë ku mbërrijnë shumë, shumë pak njerëz, Marshand jo vetëm që ia del për bukuri që të jetojë, por edhe të bëjë jetë sportive. Jo vetëm kaq, por edhe të vendosë një rekord botëror për moshën e tij, ashtu siç kishte vendosur rekordin botëror dy vjet më parë për moshën 103 vjeç,me 26 kilometra e 927 metra. “Doja të arrija në 23 ose 24 km, – tha ai për AFP-në pas mrekullisë, – nëse do të shkoja në 30 do të thoshin se kisha marrë doping”.

Marshand është vërtet një muzeum i gjallë. i lindur në 1901, ai ka përjetuar dy luftëra botërore, ka parë ushtrinë gjermane që ka hyrë në qytetin e tij të Amienit në 1914, ka njohur 16 presidentë të Republikës së Francës, ka qenë pjesëtar i Rezistencës në Luftën e Dytë Botërore, dhe është burgosur sepse nuk i ka shërbyer kolaboracionistëve, ka qenë kampion i Francës në gjimnastikë, si dhe ka bërë punë të ndryshme në Paris, Kanada apo Venezuelë. Le ta lemë me kaq historinë e Marshandit, që njerëzve në fund të fundit, t’u ngjaj si një i zakonshëm.

Sfidanti.al