Epidemia kineze nuk njeh kufi, 150 milionë për Obamejangun!

E dimë mirë sesa shumë “i vlen lëkura”. Kjo e thënë me shaka, por e vërteta është që Pier-Emerik Obamejang vërtet është një lojtar i madh dhe me të drejtë shumë i vlerësuar. Veçse, njeriu mbetet pa gojë nga “peshimi” që i bëjnë kinezit sulmuesit të talentuar të Borusias së Dortmundit. Krejt sipas huqit të tyre të tanishëm, ofrojnë 150 milionë euro për kartonin e 23-vjeçarit, që pëlqehet shumë nga Reali i Madridit. Duket se Zinedin Zidan do të detyrohet të “hajë” ç’të lënë kinezët në “tavolinë”, dhe shpresa e vetme është që “Oba” të refuzojë. Nuk do ta ketë të lehtë, sepse përveç 150 milionë eurove për Dortmundin, klubi i Shangai Sipgut (Shanghai Sipg) pritet t’i ofrojë futbollistit një rrogë vjetore prej 41 milionë eurosh. Të paktën, ky është raportimi nga mediat gjermane. Vlen apo nuk vlen kaq Obamejang, kinezët flasin tani me gjuhën e parave, gjuhë me të cilën atyre dikur u flisnin amerikanët dhe europianët. “O tempora, o mores” do të thoshin latinët e vjetër.

Sfidanti.al