Cili bën poza më të bukura?Trajnerët e shkarkuar në garë..

A është i lumtur një trajner që shkarkohet nga ekipi? Kjo pyetje mund të duket budallaqe në Europë, por në Shqipëri  nuk janë të paktë trajnerët që ia mbathin nga stoli me ..maskën e lumturisë.  Edhe pse është një gënjeshtër e madhe, në futbollion tonë po bëhet një modë e pëlqyer për shkak të hipokrizisë, e cila shndërrohet në një ushqim që shijohet nga presidentët.  Pak kohë më parë, Arjan Bellait i vodhën në gjumë, gjatë natës, ekipin  përfaqësues të 19 vjeçarëve dhe ata që panë skenën tregonin se trajnerit , me të drejtë, i iku gjaku nga fytyra kur i thanë se edhe listën e kishte bërë italiani Tramezani. Por,ama, kur doli në ekran, ballai, kishte ngjeshur maskën e lumturisë dhe  iku si burrat nga stoli me këto fjalë: “ Nuk e kisha marrë me tapi ekipin e moshave!”. Një bravo e madhe, erdhi  nga shefat për fjalët e goditura të trajnerit, që në të ardhmen do të serviret si njeri pa fjalë, gojëkyçur dhe ..mirënjohës.

Maskat e lumturisë për trajnerët e shkarkuar kanë filluar të firojnë nga magazina, sepse shumica e atyre që humbasin stolin ikin duke thirrur “ rroftë presidenti,  fajin e ka trajneri”. Kjo frazë nuk është pjellë e fantazisë, të paktën kur kujton një rast pikant të shkarkimit të një trajneri me emër, fjalët e të cilit janë gdhendur në “muzeun e lotëve”: “ Fajin e kisha vetë dhe presidenti bëri mirë që më shkarkoi se punët mund të shkonin edhe më keq..” Thoni ju, në cilin futboll tjetër, veç atij shqiptar, do të përjetonit një hipokrizi kaq biologjike. Edhe Agostineli, trajneri  i Skënderbeut, që e humbiste stolin pak nga pak, gati çdo javë, si për faj të tij dhe jo më pak të futbollistëve kampionë, paska gjetur një maskë nga ato që nuk të lënë pa punë. Me siguri do ta ketë blerë në tregun e zi, ngaqë ka kohë që janë zhdukur nga tregu i lirë. “Pati dëshirë nga të dyja palët për zgjidhjen e kontratës” – betohet italiani, duke përdhosur të verteten e përjavshme në ekran se “as nuk bëhet fjalë për dorëheqje”. Andrea nuk është i fundit në këtë lojë pa moral e cila ndizet më shumë ngaqë pronarët e punëdhënësit e futbollit, presidentët, ata që shkrihen fare kur dëgjojnë fjalët ndjellëse të trajnerëve që largohen. Bile, thuhet, nuk dihet se deri ku shkon e vërteta, se qejfin për të larguar sa më shumë trajnerë, e nxit më shumë kjo “orgazma e lamtumirës”.

  1. Sinemati