A nuk e kishim thënë? Lionel Mesi është zgjuar me të gjitha ndijimet e tij dhe shkaku është vetëm një, Kristiano Ronaldo. Viti i shkëlqyer 2016 i portugezit e ka vënë menjëherë në sedër argjentinasin, që tani thotë brenda vetes “do të më shihni se cili jam”. Me t’u kthyer nga ditët e pushimeve të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, numri 10 i Barcelonës nisi stërvitjen me shokët e skuadrës, ndërsa trajneri i tij Luis Enrike mbeti shumë i habitur.
Pa pasur nevojë t’ia thotë kush, Leo kishte përpiluar dhe zbatuar një program stërvitor gjatë pushimeve. Plot tri orë gjimnastikë në ditë për ish-fituesin e Topit të Artë, që dëshiron me çdo kusht ta bëjë sërish të vetën sferën e florinjtë. Luis Enrike e tregoi vetë gjendjen e Mesit dhe të lojtarëve të tjerë duke u shprehur shumë i kënaqur për formën në të cilën janë kthyer ata nga pushimet. Në këshillim me stafin teknik, Leo u stërvit për 3 orë në ditë në palestrën “Kolo Xhim” (Colo Gym) në Funjes, një qendër e banuar fare pranë qytetit të tij të lindjes në Argjentinë, Rozario.
Me një formë të tillë, Mesi dhe shokët e tij pritet të shkëlqejnë menjëherë në fazën e dytë të sezonit që nis nesër me një sfidë shumë të fortë, atë të Kupës së Mbretit në fushën e Atletikut të Bilbaos. Barcelona është fituese në fuqi e Kupës si dhe kampione në fuqi, por prapa Realit në renditjen e tanishme të La Ligës.
Sfidanti.al