Nagelsmani feston me një birrë, Simeone mbeti pa … “avull”!

Në pushim të ndeshjes e patën një përplasje, por përfundimi i gjeti në “armëpushim”. Julian Nagelsman dhe Diego Pablo Simeone ishin dy trajnerë me gjendje shpirtërore të ndryshme pas përfundimit të sfidës çerekfinale të Championsit me fitoren e Lajpcigut, dhe kjo u duk edhe në deklaratat e tyre. “Ndoshta do të pijmë nga një shishe birrë, dhe pastaj do të mendojmë për PSG-në, – tha trajneri gjerman, – nuk kemi kohë për t’u kënaqur më shumë me suksesin. Ishte një paraqitje e mirë nga skuadra ime, dhe unë jam shumë i lumtur. Mendoj se ne ishim pak më mirë (se Atletiko) në 30 metrat e fundit të fushës, dhe kjo bëri diferencën. Ndeshja nuk pati shumë raste, por mendoj se e merituam”.

Simeone, ndërkaq, ishte i dëshpëruar, por u duk i kthjellët me fjalët që tha. “E kuptoj mirë se ata ishin shumë më lart se ne, – pohoi trajneri argjentinas, – por, e kishim të pamundur të jepnim më shumë. Ne nuk luajtëm siç dëshironim, por duhet të mbajmë kokën lart dhe të mendojmë për sezonin tjetër. Ne nuk kishim energji pas një sezoni kaq të gjatë, ndaj ata fituan më shumë duele, ishin më të shpejtë, dhe nuk na lejuan të bënim lojën tonë”.

Sfidanti.al