Dihej se ishte një trajner shumë i mirë, siç e tregoi në kombëtaren iberike. Hulen Lopetegi jo më kot u zgjodh nga Reali për stolin, ndërsa pas gafës së dy vjetëve më parë, po provon një rilindje të merituar. Skuadra e tij, Sevilja, kaloi pengesën më të vështirë deri tani në Ligën e Europës, Uolvesin anglez, duke fituar 1-0 dhe duke merituar gjithçka. Pavarësisht rrezikut të quajtur “Adama Traore”, që fitoi penallti pas një sprinti të jashtëzakonshëm si Usain Bolti, Sevilja ishte në komandë të ndeshjes, duke mbajtur topin e duke sulmuar gjatë gjithë kohës. Stili i zakonshëm i Lopetegit, stil për të cilin e zgjodhi Perezi në Madrid.
Tashmë, Sevilja e tij do të ketë pengesën e madhe në gjysmëfinale, të quajtur Mançester Junajtid. “Është skuadra më e madhe në botë, – thotë Lopetegi, – por, ne do të jemi gati”. Kolegu i tij portugez, Nunjo Espirito Santo, mund të ndihet krenar për atë që bëri me Uolvesin, një skuadër e thjeshtë angleze të paktën në 35 vitet e fundit. “Jemi krenarë për atë që kemi arritur, por duhet të tregojmë vazhdimësi, – u shpreh ai, – bëmë vetëm një gabim dhe e paguam, porn a dëmtoi mungesa e përvojës”. Sevilja ka shumë përvojë pasi ka fituar Ligën e Europës tri herë radhazi në vitet 2014-2016.
Sfidanti.al