Bornemuth-Arsenal ishte 3-0 në minutën e 74-ët dhe gjithçka duket e vdekur dhe e varrosur për të besuarit e Arsen Vengerit. Londinezët po pësonin një humbje të tmerrshme në një ndeshje të Premier Ligës që duhej ta fitonin për të mbetur në “shina” për të pretenduar titullin. Kur në minutën e 92-të, Olivie Zhiru fiksoi shifrat 3-3, ky barazim me të drejtë u shijua si një fitore. Jo se një pikë u bëri shumë punë “topçinjve” në ndjekje të Çelsit, por sepse një reagim i tillë tregolësh në vetëm 20 minuta është vërtet tregues i një karakteri të fortë. A mund ta ndihmojë kjo Arsenalin që të luftojë me sukses për të fituar Premier Ligën? Ndoshta, por herë tjetër jo pasi të ketë pësuar 3 gola.
Çarli Daniels në minutën e 16-të, Kallëm Uilson me penallti në 21’, dhe Rajan Frejzër pas pushimit, në minutën e 58-të, i dhanë Bornemuthit një epërsi krenare përballë publikut të vet entuziast. Nuk mjaftoi! Aleksis Sançez nisi reagimin në minutën e 70-të, pastaj Lukas Perez shkurtoi në 2-3, pesë minuta më vonë, dhe Bornemuthi mori një goditje kur Sajmon Frensis doli me të kuqe në 83’. Minutat e fundit ishin dramatike, me vendasit që ishin pranë golit të katërt, dhe pastaj me Granit Xhakën që krosoi për Olivie Zhirunë në minutën e 92-të. Francezi nuk provoi një “goditje akrepi” këtë herë, por një goditje të saktë me kokë. Ndeshja e çmendur u mbyll me një tjetër rast të Bornemuthit, humbur nga Harri Arter. Barazimi bëri që Arsenali të ketë tani 41 pikë, 8 më pak se Çelsi që luan në fushën e Totenhemit.