Sarri “plaku-rekordmen” i titullit, por edhe një fitues tepër i ri!

Si ta kuptojmë këtë fjali kaq kundërthënëse që na jepet që në titull? Së pari, le të themi se Mauricio Sarri është bërë trajneri me moshën më të madhe që ka udhëhequr një skuadër drejt titullit të Serisë A, duke pasur 61 vjeç, 5 muaj e 19 ditë. Napolitani theu rekordin e Nils Lidholmit që u shpall kampion me Romën në 1983, kur ishte vetëm 9 muaj më i ri sesa trajneri i sotëm i Juventusit. Një vit më vonë, Lidholm doli vetëm 2 pikë prapa Juves, e nëse do të kishte dalë kampion, do të kishte qenë ende sot në krye të “plakushëve” kampionë. Në vend të tretë, një legjendë si trajneri jugosllav (serb), Vujadin Boshkov, që u shpall kampion në 1991 me Sampdorian, në moshën 60 vjeç e 1 muaj. Sarri, megjithatë, ka një veçanti, pasi ka vetëm 5 sezone në Serinë A, dy me Empolin, dy me Napolin dhe 1 me Juven, pra është tepër i ri në këtë nivel. Trajnerët e tjerë kishin dalë kampionë në moshën kur Sarri ende nuk kishte debutuar në A. Karlo Ançeloti, një specialist, thotë se “Sarri është një trajner për Juven dhe vitin që vjen do të jetë edhe më i rëndësishëm”.

Sfidanti.al