Premier Liga, Mançester Junajtidi e Çelsi sigurojnë kualifikimin në Champions!

Ishte një fund dramatik, sidomos në stadiumin “King Pauer”. Gjithsesi, as një ndeshje me të vërtetë finale për Championsin, nuk i ndaloi yjet e futbollit anglez që të vazhdonin ritualin kundër racizmit. Lojtarët e Leisterit e Mançester Junajtidit u ulën në gjunjë në mbështetje të lëvizjes “Jetët e zezakëve vlejnë”, ndërsa menjëherë pas kësaj nisën betejën finale. Luhej për dy vende në Champions, mes tre ekipeve, së bashku me Çelsin, dhe të humbur në këtë garë dolën vendasit e trajnerit Brendan Roxhers.

Në Champions, bashkë me Liverpulin e Mançester Sitin, shkuan Mançester Junajtidi e Çelsi, që përfunduan, përkatësisht në vend të tretë e të katërt në Premier Ligë. Skuadra e trajnerit Ole Gunar Solskjer ia doli pasi fitoi 2-0 atë që ishte finalja, falë një goli me 11-metërsh shënuar nga penalltisti i përhershëm Bruno Fernandez, si dhe një rrjete në fund, realizuar nga Lingard. Përballja ishte e ashpër, me Junajtidin që zotëroi pjesën e parë, por me Leisterin që ishte më pranë golit.

Pas pushimit vendasit e rritën presionin, goditën edhe shtyllën, por nuk ia dolën dot. Me gjasë, nuk përballuan dot presionin përballë një kundërshtari me emër e përvojë më të madhe, që ka qenë vazhdimisht klient i Championsit. Sukses i madh sportiv dhe financiar për klubin e “Old Trafordit” dhe për Solskjerin, që do ta kenë më të lehtë të përforcojnë ekipin për të pretenduar sezonin e ardhshëm.

Çelsi e siguroi Ligën e Kampionëve pas fitores 2-0 ndaj Uolvesit në “Stemford Brixh”, duke ndihmuar Totenhemin e Zhoze Murinjos që të kualifikohej në Ligën e Europës. Një klub historik si Aston Vila mbijetoi falë barazimit 1-1 në fushën e Uest Hemit, ndërsa nga kategoria ra Bournmuthi, së bashku me Noruiçin e Uatfordin. Kampionia Liverpul e mbylli sezonin me 99 pikë, një pikë më pak se rekordi i mbajtur nga Mançester Siti, pas fitores 3-1 në fushën e Njukasëllit. Vetë Siti doli i dyti, ndërsa arriti në 102 gola në këtë sezon në Premier, pas suksesit 5-0 në stadiumin”Etihad” kundër Noruiçit.

Sfidanti.al