“Championsi i shqiptarëve”, Lokomotiva e Zagrebit shkruan historinë me 5 yje!

Nuk ka ndodhur kurrë që të kenë qenë kaq shumë në një sukses të tillë. Plot pesë futbollistë shqiptarë janë pjesë e Lokomotivës së Zagrebit që u kualifikua për në Champions sezonin e ardhshëm, dhe që të gjithë kanë pasur merita të mëdha. Suksesi i skuadrës së dytë të kryeqytetit të Kroacisë u arrit falë fitores 2-1 në fushën e Sllavenit të Belupos, pikërisht në javën e fundit të Ligës së Parë kroate.

Katër shqiptarë ishin në formacion, Myrto Uzuni, Enis Çokaj, Jon Mersinaj si dhe ai i Kosovës, Lirim Kastrati. Indrit Tuci ishte në stol. Lokomotiva e mbylli kampionatin në vendin e dytë me 65 pikë, një pikë më shumë sesa ish-kampionia Rijeka. Ky është sezoni më i rëndësishëm në historinë e klubit, që më së shumti është cilësuar si satelit i Dinamos së Zagrebit. Më herët, Lokomotiva arriti edhe në finalen e Kupës së Kroacisë, diçka që u arrit falë fitores 3-1 pikërisht në fushën e Sllavenit të Belupos disa javë më parë, e ku golin e tretë e shënoi pikërisht Myrto Uzuni.

Sulmuesi i kombëtares shqiptare, i transferuar tashmë tek Ferencvaroshi në Hungari për shifrën mbi 1.8 milionë euro, shënoi 9 gola këtë sezon të Ligës së Parë të Kroacisë. Pak më mirë se ai shqiptari i Kosovës, Lirim Kastrati, që arriti në kuotën e 11 rrjetave. Nuk mbaron me kaq pasi Indrit Tuci pati 4 gola në emrin e tij këtë kampionat, dhe Enis Çokaj shtoi një tjetër. Pritet që tek Lokomotiva në të ardhmen të shkojnë edhe shqiptarë të tjerë, dhe një arsye e fortë për krijimin e një kolonie të tillë është Besnik Prenga, një nga gjahtarët më të mirë të talenteve në klubin e Zagrebit.

Sfidanti.al