Sadiku, Roshi, Kumbulla e portierët kuqezinj, shqiptarët “sulmojnë” Europën!

Ka qenë një vit i shkëlqyer për ta.Nuk besohet të ketë ndodhur më parë që futbollistët shqiptarë të kenë pasur kaq shumë rol në kampionatet europianë si tani. Që nga Italia, Spanja, Gjermania apo Rusia, lojtarët kuqezinj kanë shënuar gola, shërbyer asistë, kanë bërë pritje e kanë ndihmuar ekipet që të kenë sezon pozitiv, dhe kjo pritet të arrijë një nivel edhe më të lartë edicionin e ardhshëm.

Armando Sadiku rikthehet në La Liga, pasi heroizmave në kategorinë e dytë të Spanjë, që e mbylli me 13 gola për Malagën, duke i dhënë një dorë që të mbijetonte. Sulmuesi kryesor i kombëtares shqiptare do të shkojë sërish tek Levante, klubi i Primera Divizionit që i zotëron kartonin, e shpreson që të shkëlqejë po kaq shumë edhe në elitë, në sfidën me Barcelonën e Mesit, dhe Realin e Zidanit.

Keidi Bare nuk mendohet ta bëjë këtë ngjitje, por gjithsesi mund të kalojë tek një skuadër historike si Espanjoli, që këtë vit zbriti nga La Liga.Mediat iberike bëjnë me dijë se Malaga kërkon 1.5 deri në 2 milionë euro për kartonin e mesfushorit 22-vjeçar.

Një vit sportiv të shkëlqyer ka pasur Odise Roshi në Premier Ligën e Rusisë, madje shqiptari është shpallur lojtari më i mirë i sezonit për ekipin e tij, Ahmatin e Groznit, duke marrë notën mesatare për ndeshje, 7. Futbollisti i krahut, në moshën 29-vjeçare, ka qenë në formë të madhe, duke shënuar 7 gola e duke dhënë 3 asistë.Padyshim, ka dhënë kontributin kryesor që skuadra nga Çeçenia u konfirmua në elitën e futbollit rus, ndërsa sezonin e ardhshëm mund ta shohim në ndonjë ligë të rëndësishme të Europës Perëndimore.

Sidoqoftë, prania më e rëndësishme e shqiptarëve ka qenë në Serinë A.Futbolli italian ka njohur si një nga zbulimet kryesore Marash Kumbullën, mbrojtësin 20-vjeçar të Veronës, që ka shënuar dy gola, përveçse ka kryer më së miri detyrat në repartin difensiv. E ardhmja e tij, sipas të gjitha gjasave, do të jetë tek Interi ose tek Lacio, ndërsa kartoni i tij padyshim shkon afër 30 milionë eurove. Po në Serinë A, janë dy portierët kryesorë të Shqipërisë, dhe pritet që të vazhdojnë.

Tomas Strakosha është një siguri tek Lacio, dhe do të luajë sezonin e ardhshëm në Champions, ndonëse nuk ia doli të fitonte titullin kampion, siç ishte synimi. Etrit Berisha mendohet se do të largohet nga SPAL-i, pasi skuadra e tij modeste do të luajë në Serinë B në 2020-2021. Nuk besohet se do të jetë shumë e vështirë që ai të gjejë një ekip tjetër po në Serinë A, dhe jo më kot mediat italiane e kanë quajtur portierin nga Prishtina si rrezen e vetme të dritës në një sezon të zi për SPAL-in. Me gjasë, në elitën italiane do të mbetet Elseid Hysaj, i cili ka pasur shumë më tepër rol tek Napoli, me trajnerin Xhenaro Gatuzo. Kapiteni i kombëtares madje, mendohet të mos ndryshojë skuadër, ndonëse ka pasur shumë spekullime për të ardhmen e tij.

Një tjetër lojtar kuqezi që pritet t’i bashkohet një lige më të fortë është Endri Çekiçi. Mesfushori ofensiv nga Pogradeci, shkëlqeu këtë edicion me Olimpijan e Ljubljanës në Slloveni, duke qenë shënuesi i dytë më i mirë i ekipit me 10 gola, ndonëse në fund e humbi në mënyrë dramatike garë për titull. Një humbje shqiptare në elitë do të jetë Klaus Gjasula. Mesfushori kuqezi, që luajti këtë edicion në Bundesligë, do të jetë në kategorinë e dytë, ndonëse tashmë do të mbajë veshur fanelën e një skuadre me emër të madh si Hamburgu.

Sfidanti.al