Dorëzimi i Interit e bën Juventusin kampion që ditën e sotme!

Çdo gjë po shkon sipas variantit optimal dhe rivali kryesor që mbetej për titull u dorëzua. Interi nuk shkoi dot më larg se një barazim 0-0 në “San Siro” ndaj Fiorentinës, duke mbetur 7 pikë ndaj Juventusit, në vend që të ishte 5, dhe kampionët në fuqi mund ta fitojnë titullin e 9-të me një sukses sot në mbrëmje në fushën e Udinezes. Edhe ambiciet e Antonio Kontes nuk mjaftuan si “katalizator” për këtë skuadër, ndonëse interistët goditën dy herë shtyllën. Gjithsesi, nuk fituan, siç nuk fituan dot as në fushën e Romës, në një barazim 2-2 pak ditë më parë. Trajneri milanez bëri 4 ndryshime, duke hedhur në fushë D’Ambrozio, Godin, Eriksen e Lukaku, ndërsa uli në stol Shkriniarin, Bastonin, Brozoviçin e Lautaro Martinezin. Pjesa e parë ishte shumë e mirë për vendasit me 4-5 raste për gol, por pa shënuar, por duke kaluar minutat, ritmi erdhi duke rënë. Duket se zikaltërit po mendonin më shumë për ndonjë pushim, e për t’u përgatitur pastaj për Ligën e Europës.

Sfidanti.al