Duhej të kishte vetëm foto nga afër, dhe filmime me kamera, me fokusim të thellë për të krijuar atmosferën e duhur të entuziazmit. Ishte momenti i veçantë kur Liverpulit iu dorëzua trofeu i Premier Ligës, i pari në histori në formatin e ri të kampionatit, dhe i pari prej 30 vjetësh, në historinë e gjithë kampionateve anglezë të elitës. Pamja e Jurgen Klopit, pranë kupës së ëndërruar, ndërsa varte në qafë medaljen e kampionit ishte emblema e mbrëmjes së madhe liverpulase.
Fatkeqësi që stadiumi “Anfild” nuk oshëtinte nga britma e fuqishme e 54 000 tifozëve që duhej të ishin duke kënduar këngën “Ju kurrë nuk do të jeni vetëm”. Për fat të keq, yjet e kuq ishin vetëm në mbrëmjen më të madhe të jetës së tyre, më të madhe edhe sesa ajo e Madridit kur vjet fituan Championsin. Gjithsesi, ata ishin përgatitur për këtë, e dinin se nuk do t’i kishin tifozët në tribunën “Kop”, ndërsa në stadium mund të ketë ndoshta edhe një tribunë “Klop”. Vetë Liverpuli e mbylli siç duhet sezonin në fushën e tij, me fitoren 5-3 ndaj Çelsit, duke pasur 96 pikë e 82 gola të shënuar. Keita, Aleksandër-Arnold, Vajnaldum, Firmino e Okslejd-Çembërlen ishin autorët e golave, ndërsa për Blutë e Londrës realizuan Zhiru, Abraham e Pulishiç.
Sfidanti.al