Hapi i hedhur drejt Mynihut ndoshta ishte tepër i madh për kroatin ambicioz dhe energjik, por ende jo me shumë përvojë. Pas një pauze prej disa muajsh, Niko Kovaç nuk e pati të vështirë të gjendte skuadër të re, pasi tekniku arriti suksese me Ajntrahtin e Frankfurtit, dhe kjo e bindi Monakon. Në Ligën e Parë të Francës, me ekipin e Principatës, Kovaç do të ketë mundësi të marrë një revansh ndaj futbollit që e hodhi poshtë ndërsa ishte tek Bajerni. Për fat, nuk do t’i mungojnë paratë, pasi miliarderi rus, Dmitri Ribolovljov është gati të shpenzojë. Synimet e trajnerit janë dy lojtarë që i njeh mirë, pasi i ka pasur në Frankfurt, Filip Kostiç dhe Luka Joviç. Pra, një kroat që thërret dy serbë në Montekarlo. Kostiç është 27 vjeç dhe ka kontratë deri në 2022 tek Frankfurti, me kartonin që arrin në 30 milionë euro. Joviç, që shkoi për 60 milionë euro tek Reali, nuk arriti sukses në Madrid, ndaj mund të largohet më lehtë, ndonëse ka kontratë deri në 2025.
Sfidanti.al