Partizani, virusi e derbi i shkundën stolin italian, por presidenti Demi ka rigjetur ekipin!

Rastet pozitive dy ditë para ndeshjes ishin një goditje e fortë. Partizani as nuk e kishte imagjinuar se mund t’i ndodhte kështu në prag të derbit, dhe tashmë mund të thuhet se është një klub tjetër pas infektimit të pjesshëm nga koronavirusi. Pesë të izoluar, sherre të brendshme, një trajner dhe një staf teknik që nuk i del për zot skuadrës, dhe një ekip që përkundër gjithçkaje, luan një nga ndeshjet më të mira të sezonit, pikërisht ndaj Tiranës kryesuese.

Futbollistët ishin betuar që të jepnin shpirtin në fushë, sepse pikërisht derbi i humbur 1-2 në fund të vitit të kaluar sinjalizoi fillimin e krizës. E ardhmja e trajnerit Sormani duket e përcaktuar përfundimisht, ndonëse që më parë, klubi i kishte dhënë shenjat e ndryshimit. Jo më kot, burime tek të kuqtë kanë bërë me dijë se vetë drejtori Olsi Rama ka kontaktuar me trajnerin e Skënderbeut, Ilir Daja, për ta bindur që të marrë përsipër detyrën.

Sormani, gjithsesi, nuk pritet të hidhet poshtë, pasi Partizani ka projekte të rëndësishëm me Akademinë dhe italiani vlerësohet si specialist shumë i mirë, pasi ka punuar me moshat tek Napoli e Juventusi. Nuk dihet sesi do të merren vesh për rrogën, pasi trajneri ka një pagesë të lartë që, burime të ndryshme e japin të ndryshme, nga 5 000 deri në 15 000 euro në muaj.

Për fat të mirë gjendja në skuadër është më e qetë pas ndeshjes shumë të mirë derbi, duke u lënë pas acarimet sidomos ndaj mbrojtësit rumun Boldor, që cilësohet si fajtor pasi thuhet se e ka ditur që më parë se ka qenë me koronavirus. Vetëm fakti se është i huaj e ka shpëtuar Boldorin nga ndonjë dhunim fizik, të paktën siç bëjnë me dijë njerëz të afërt me skuadrën.

Përsa i përket drejtuesve, presidenti Demi ka qenë i bindur që ndeshja duhej të luhej, pavarësisht infektimit që ndodhi. Jo vetëm kaq, por numri 1 i të kuqtë u ka thënë lojtarëve që, mund të rrinë në shtëpi nëse tremben për shëndetin, por gjithsesi derbi do të luhej qoftë edhe me ekipin e të rinjve. Për momentin, Demi e Rama janë të kënaqur me Kalarin në stol, pasi ishte ndihmësi i Sormanit që bëri formacionin dhe motivoi ekipin. Me gjasë, sezoni do të mbyllet me Kalarin, ndonëse drejtori Rama nuk dha shumë sqarime.

Pengu më i madh tek të kuqtë mbetet fakti që shanset janë të pakta për kualifikimin në Europë, një kontrast i madh me sezonin e kaluar kur u fitua titulli dhe pati pjesëmarrje në Champions.

Sfidanti.al