Partizani ankohet për tifozët, por pyetja është kush ishte organizator në derbi?!

Stadiumi ishte pa tifozë, kjo ishte e qartë. Rregullat për t’u mbrojtur nga koronavirusi nuk u ndryshuan as për derbin Partizani-Tirana, veçse në fund të përballjes ra në sy festimi i disa përkrahësve bardheblu në tribunën VIP. Kremtim i zhurmshëm për golin e barazimit të Ernest Muçit, në minutën e dytë shtesë, diçka që nuk i pëlqeu aspak krerëve të Partizanit.

Drejtori sportiv, Olsi Rama, u shpreh i habitur dhe po ashtu i zemëruar, duke zbuluar se kishte pasur shqetësime edhe gjatë ndeshjes, jo vetëm në fund. Nënkuptimi i Ramës ishte se duhej të kishte ndodhur ndonjë shkelje të protokollit sanitar, apo se punonjësit e sigurisë nuk ishin treguar rigorozë sa duhet. Gjithsesi, nuk mund të mos theksohet fakti se organizator i ndeshjes ishte vetë Partizani, pra përgjegjësia për praninë e njerëzve në stadium ishte e vetë klubit të kuq.

Sfidanti.al