U desh të kalonte një kohë e gjatë, më shumë se 3 vjet, por më në fund ai e gjeti ekipin e tij. Sërish një skuadër kombëtare për Xhani De Biazin që bie dakord që drejtojë Azerbajxhanin me një kontratë 2-vjeçare, ndërsa në moshën 64-vjeçare është një nga trajnerët me moshën më të madhe në stol. Tekniku nga Sarmede e Italisë së Veriut, shpreson që të ketë një tjetër etapë të suksesshme në karrierë, për t’iu afruar triumfit me Shqipërinë, kur u kualifikua në Euro 2016, si dhe fitoreve të rëndësishme me Modenën apo Torinon. Italiani nuk mund të gjente ndihmës më të mirë për detyrën azere sesa Ansi Agollin, ish-kapitenin e kombëtares shqiptare, që vazhdon karrierën tek Nju Jork Kozmosi, por që duket se do ta mbyllë me futbollin e luajtur në moshën 37-vjeçare. Agolli ka luajtur për 8 vjet në Azerbajxhan, me ekipin më të mirë të vendit, Karabakun, duke dalë 5 herë kampion e duke fituar 3 Kupa, si dhe duke luajtur në fazën e grupeve në Champions dhe në Ligën e Europës.
Sfidanti.al