Ibra e CR7 nuk mund të rrinin pa bërë “xixa” as këtë herë!

Nuk e duan aspak njëri-tjetrin, ndonëse kanë qenë gjithnjë futbollistë shumë të ndryshëm. Zllatan Ibrahimoviç nuk ka fituar aq shumë trofe kolektivë apo individualë sa Kristiano Ronaldo, as nuk ka shënuar aq shumë gola, por gjithsesi është vlerësuar si më i madhi në “llojin e vet”, me veprimet spektakolare që askush tjetër nuk mund t’i bëjë. Këta të dy janë përplasur edhe më parë, e bënë sërish në “San Siro”, në Milan-Juve.

Ndodhi në minutën e 62-të, kur Zllatani do të gjuante penalltinë, dhe Ronaldo i thirri portierit juventin, Shezni: “Ti e njeh atë, pritja”! Kjo nuk u prit mirë nga suedezi, që pasi shënoi u kthye menjëherë nga Kristiano duke e vështruar drejt e në sy në mënyrë ngulmuese për disa sekonda. Më pas, shkoi drejt pikës së qendrës së fushës, për të vendosur topin, me një qeshje ironike në buzë. Ibra sërish reagoi kur u zëvendësua, duke u kthyer nga stoli i Juventusit, e duke i bërë dikujt me dorë shenjën që shpjegohet “ti gjithnjë flet pak si shumë”!

Sfidanti.al