Shqetësimi është i madh, ndonëse njeriu i fortë brenda tij nuk do të dorëzohet deri në vdekje. Antonio Konte pësoi një tjetër dështim të madh në krye të Interit, duke u mundur në “San Siro” nga Bolonja e Sinisha Mihajloviçit, e duke humbur përfundimisht edhe ato shpresa të pakta që kishin mbetur për titull. Me 11 pikë largësi nga Juventusi, a ia vlen të flitet më për këtë objektiv?!
Të mendosh se zikaltërit e nisën ndeshjen shumë mirë dhe virtualisht ishin vetëm 1 pikë prapa Lacios, pas golit të Romelu Lukakut shënuar që në minutën e 22-të. Edhe më e pabesueshme u bë kur Lautaro Martinez humbi penalltinë në 62’, që do ta kishte ngjitur rezultatin në 2-0, dhe me gjasë do ta kishte mbyllur ndeshjen për vendasit. Duket se Lautaro nuk është i përqëndruar, pasi transferimi i tij i ëndërruar për tek Barcelona nuk po realizohet, veçse i gjithë Interi nuk u duk në terezi.
Edhe pse Soriano doli me të kuqe për bolonjezët në 57’, ata mundën të përmbysnin shifrat. Të besuarve të Mihajloviçit u duhet hequr kapelja madje me gjithë flokë, por besohet se “bashkëfajtor” ishte edhe Interi, në këtë rezultat. Juvara e Barrou ishin autorët e golave, ndërsa Bastoni u përjashtua në 77’. Pas ndeshjes, Konte komentoi “gabime që mund të shmangeshin” dhe “probleme të personalitetit”, e ndoshta pret ndryshimet gjatë verës për ta forcuar Interin. Trajneri duket gjithnjë e më shumë si Sizifi legjendar I lashtësisë, që ngjiste gurin në majë të malit, por ai rrëzohej sërish poshtë. Marota deklaroi se “Lautaro nuk besoj se largohet, ndërsa tifozët i janë vërsulur Galiardinit që sërish luajti dobët e gaboi. “Galiardinin e shpëton doshta vetëm një udhëtim në Lurdes”, – komenton “La Gazeta delo Sport”.
Sfidanti.al