Reali i Zidanit e Ramosit ndihet kampion, edhe pse fiton me penallti!

U desh një tjetër penallti, këtë herë për shkelje në këmbë ndaj Marselos, që Madridi të fitonte tri pikë më shumë në këtë kampionat. Sukses i rëndësishëm pasi u arrit në fushën e Bilbaos, tradicionalisht shumë e vështirë, dhe duke e mbajtur larg skuadrën e trajnerit Zidan në 7 pikë nga Barcelona. Goli i vetëm i ndeshjes u shënua në 73’, me 11-metërshin e ekzekutuar nga Ramos, gjë që u vendos nga VAR-i, ndërsa baskët pretenduan edhe ata për penallti, pasi Sergio Ramosi shkeli në zonë një lojtar vendas. Gjyqtari e Gonzales Gonzales quajti të pavullnetshëm atë veprim, dhe pa ndikim në lojë.

“Po lodhem duke dëgjuar se ne fitojmë falë arbitrave, – tha Zidani, – kjo ul meritat tona, lojën që në bëjmë”. Tek Reali u dalluan kapiteni Ramos dhe Luka Modriç, që është kthyer në formën e tij më të mirë, ndërsa Kurtua, Karvahal, Militao, Marselo, Kasemiro, Benzema dhe Asensio zhvilluan një ndeshje normale. Zidan bëri 4 zëvendësime, duke i dhënë minuta Krosit, Lukas Vaskezit, Vinisiusit dhe fare pak Luka Joviçit. Reali kryeson La Ligën me 77 pikë kur duhen edhe 4 ndeshje deri në përfundim.

Sfidanti.al