Vlerësim maksimal, Mourinho: Do thyej rregullat të përqafoj Ancelottin

Tottenhami do të përballet me Evertonin në ndeshjen që do të mbyllë këtë javë të Premier Leagues angleze. Kjo sfidë ka edhe një duel brenda saj, atë mes trajnerëve Jose Mourinho dhe Carlo Ancelotti me trajnerin portugez që nuk i kurseu elozhet për italianin në konferencën për shtyp përpara sfidës

‘Është një nga trajnerët më të mirë të botës në 20 vitet e fundit dhe mendoj se është një privilegj për Premier League që e ka sërish në radhët e saj-tha Jose Mourinho-nuk ka nevojë për prezantime. Kam pasur privilegjin ta njoh vite më parë, është një njeri i artë. Distancimi social? Do thyej rregullat dhe do ta përqafoj sepse Carlo më pëlqen shumë’.

Si për Tottenhamin ashtu edhe për Evertonin zona evropiane është larg dhe cështja e kualifikimit është në fije të perit. Tottenham dhe Everton ndahen nga vetëm 1 pikë dhe të hënën në mbrëmje në Londër nuk mund të bëhen llogari;  vlen vetëm fitorja për të mos humbur përfundimisht trenin e kompeticioneve kontinentale. Tottenham do të duhet të harrojnë sa më shpejt humbjen e shëmtuar ndaj Sheffieldit, ndërsa Everton vjen pas suksesit të rëndësishëm kundër Leicester. Mourinho nuk e fshehu admirimin për Ancelottin, por tani nuk i mbetet gjë tjetër vecse ta mundë skuadrën e italianit për t’i dhënë kuptim këtij sezoni tashmë të kompromentuar’.

sfidanti.al