Ana njerëzore e kampionit, Mekgregori ngushëllon Nurmagomedovin për babanë!

Thuajse janë sherrosur si rrugaçë, janë sharë e akuzuar, e sidomos “meritori” më i madh në këtë mes ka qenë ai, Konor Mekgregor, por kur vjen puna tek morti, nuk mund të bësh ndryshe. Ish-kampioni i madh i UFC-së i bëri ngushëllimet më të thella rivalit të tij, Habib Nurmagomedov, për vdekjen e babait. Abdulmanap Nurmagomedov vdiq në mënyrë tepër të parakohëshme, në moshën 57-vjeçare, pasi u sëmur me koronavirus dhe pati një atak zemre. Ai ndenji i shtruar për shumë javë në një klinikë të specializuar në Moskë, por nuk e kaloi dot gjendjen e rëndë. “Humbja e një babai, e një trajneri, e një mbështetësi të përkushtuar të sportit është diçka tepër e rëndë, – shkruajti irlandezi, – ngushëllimet e mia, prehu në paqe Abdulmanap Nurmagomedov”. Lajmin për vdekjen e babait të kampionit nga Dagestani, pra nga Federata Ruse, e bëri të ditur i pari lideri i Çeçenisë, Ramzan Kadirov.

Sfidanti.al