Botërori i Formula 1 nis më në fund dhe nisi ashtu sic u mbyll ai i 2019 me dominimin e Mercedes dhe Lewis Hamilton. Në Austri që ishte ndalesa e parë e këtij kampionati aspak normal që u kushtëzua nga pandemia coronavirus, piloti britanik ishte dominues në ditën e parë të provave të lira teksa u shfaq i pakapshëm si në sesionin e paradites ashtu edhe të pasdites në pistën e Spielberg.
Mercedes u shfaq me një look të ri në këto prova me makinën që ishte e gjitha në ngjyrë të zezë ashtu sikurse edhe helmeta e Hamilton në shenjë proteste kundër racizmit por kjo nuk i pengoi Shigjetat e Zeza që të bëjnë paraqitje në kufijtë e perfektes.
Hamilton ishte më i shpejti në këto prova të lira duke e lënë pas shokun e tij të skuadrës Valteri Bottas, ndërkohë që Ferrari zhgënjen. Kokëkuqja italiane në sesionin e pasdites së provave konfirmoi dyshimet e shfaqura në atë të paradites. Leclerc fitoi vetëm 1 pozicion nga i 10 në të 9 duke e reduktuar me vetëm 2 të dhjetat diferencën me kryesuesi. Më mirë bëri Sebastian Vettel që e përgjysmon diferencën në kohë me Hamilton duke kaluar nga vendi i 12 në të 4
Në vendin e tretë u pozicionua Sergio Perez, ndërkohë që në sesionin e paradites ishte në vendin e pestë, duke regjistruar një kohë prej 641 të mijtat më shumë se Hamilton dhe 197 të mijtat më shumë se Bottas.
Ndërkaq mes dy makinave Ferrari ndodhen Daniel Ricciardo në vendin e pestë, lando Norris në të 6, Stroll në të 7 dhe Max Verstappen në të 8 me holandezin që në pistën e shtëpisë së Red Bull në Austri do të kërkojë fitoren e tretë radhazi.
Sfidanti.al